Hap Filterin

Probabiliteti i një ngjarje – Ushtrime

Përgatitje përpara fillimit të sesionit:

  • Lexim dhe përvetësim i njësisë mësimore në materiale dhe program;
  • Përgatitje e materialeve të nevojshme për aktivitetet që do zhvillohen në klasë;
  • Përgatitje e mjedisit didaktik dhe fizik, si dhe e atmosferës së këndshme dhe bashkëpunuese në klasë.

Ndërlidhja me lëndët e tjera dhe çështjet ndërkurrikulare:

Edukatë fizike, sporti dhe shëndeti, artet (art figurativ) dhe situata nga jeta e përditshme.

Materialet e nevojshme:

Fleta të bardha, monedha, bonbone me ngjyra të ndryshme (p.sh M&M), pjatë plastike, markerë me ngjyra.

Përshkrimi i aktiviteteve hap pas hapi:

Hidhe monedhën 

Nxënësit hedhin një monedhë dhe regjistrojnë rezultatet. Më pas ata llogaritin probabilitetin e marrjes së kokës ose bishtit dhe krahasojnë probabilitetin teorik me probabilitetin eksperimental bazuar në rezultatet e tyre.

Lojë me bonbone/M&M 

Nxënësit vlerësojnë numrin e bonboneve në kuti  dhe më pas llogarisin probabilitetin për të zgjedhur një bonbond specifike nga kutia/qesja. Më pas ata mund të kontrollojnë vlerësimet dhe probabilitetet e tyre duke numëruar në të vërtetë bonbonet dhe duke parë nëse parashikimet e tyre ishin të sakta.

Pjata rrotulluese me ngjyra

Një pjatë plastike, ndajeni në fusha (trekëndësh) dhe secilin trekëndësh ngjyroseni me ngjyra të ndryshme. Vendosni pjatën mbi bankë dhe vizatoni një shigjetë në bankë. Kërkoni me radhë nga nxënësit që të rrotullojnë pjatën dhe të hamendësojnë se cila ngjyrë do të ndalet tek shigjeta. Provoni të shihni nëse mund ta qëllojnë që probabiliteti që një ngjyrë të ndalet tek shigjeta është më i madh nëse ai seksion është më i madh dhe anasjelltas.

Më pas, kërkoni nga ta që për detyrë shtëpie të sjellin shembuj të probabilitetit nga jeta e përditshme.