Më poshtë gjeni 3 aktivitete që ju shërben në realizimin e orës: Dimensionet e globalizimit. Përgatitje përpara fillimit të sesionit:
  • Lexim dhe përvetësim i aktivitetit në materiale dhe program;
  • Përgatitje e materialeve të nevojshme për aktivitetet që do zhvillohen në klasë;
  • Përgatitje e mjedisit didaktik dhe fizik, si dhe e atmosferës së këndshme dhe bashkëpunuese në klasë.
Ndërlidhja me lëndët e tjera dhe çështjet ndërkurrikulare: Gjeografi, Histori, Gjuhë dhe komunikim, Edukatë Qytetare, TIK, Edukim Mjedisor. Materialet e nevojshme: Libri, Tv, Llap top, shkumësi, tabela, fletë A4, lëmsh.                                                    Përshkrimi i aktiviteteve hap pas hapi: Aktiviteti 1: Topi i ideve Kohëzgjatja: 10 minuta Fillimisht, mësimdhënësi i përshëndet nxënësit dhe i informon ata për njësinë mësimore që do të trajtohet gjatë orës mësimore. Njësia mësimore është “Dimensionet e globalizimit”. Ora fillon me një aktivitet motivues të quajtur “Topi i ideve”.  Mësimdhënësi krijon një rreth në klasë me nxënësit. Detyra e tyre është që ta hedhin topin te shoku/shoqja sipas preferencës. Secili nxënës që e kap topin përmend një fjalë që i vjen ndër mend kur dëgjon fjalën globalizim. Në tabelë krijohet një “re mendimesh” me fjalë kyçe si: internet, tregti, kulturë, teknologji, etj. Në fund të aktivitetit zhvillohet një diskutim i shkurtër për të ndërtuar një kuptim të përbashkët mbi globalizimin. Aktiviteti 2: Galeria e imazheve Kohëzgjatja: 25 minuta Hapi 1: Organizimi (2–3 minuta)  Mësimdhënësi e ndan klasën në 6 grupe dhe secilit grup i cakton një dimension të globalizimit (ekonomik, politik, kulturor, teknologjik, informativ, ekologjik/demografik).  Në klasë, mbi tavolina, vendosen fotografi të ndryshme që paraqesin situata nga jeta reale (p.sh. tregje ndërkombëtare, internet, protesta politike, ndotje mjedisi, shkencë dhe teknologji, etj.).  Hapi 2: Shëtitja në galeri (5–7 minuta)  Nxënësit, të ndarë në grupe, lëvizin nga një fotografi te tjetra ose analizojnë imazhet që kanë në dorë. Çdo grup duhet të: 
  • identifikojë se cilit dimension të globalizimit i përket fotografia; shkruajë në fletë arsyetimin pse e lidh atë fotografi me dimensionin përkatës; 
  • japë një shembull konkret nga jeta e përditshme që lidhet me pamjen e analizuar. 
Hapi 3: Diskutimi dhe prezantimi (8–10 minuta)  Secili grup zgjedh një fotografi për ta prezantuar para klasës. Gjatë prezantimit, nxënësit përshkruajnë shkurt: 
  • Çfarë tregon fotografia; 
  • Cilit dimension i përket; 
  • Pse e konsiderojnë atë si shembull të globalizimit. 
Gjatë prezantimeve, mësimdhënësi nxit pyetje nga nxënësit e tjerë dhe, sipas nevojës, korrigjon ose plotëson informacionin. Aktiviteti 3: Loja didaktike dhe reflektimi Kohëzgjatja: 10 minuta                                                                        Në pjesën përfundimtare të orës, mësimdhënësi aplikon një lojë didaktike dhe reflektim individual. Përmes lojës “Cili dimension jam unë?”, nxënësit testojnë në mënyrë argëtuese njohuritë e fituara për dimensionet e globalizimit.  Në vazhdim, duke përdorur teknikën “Një fjali – një ide”, nxënësit reflektojnë personalisht mbi kuptimin e globalizimit dhe përforcojnë vetëvlerësimin e tyre.