Më poshtë gjeni 3 aktivitete që ju shërben në realizimin e orës: Figurat gjeometrike. Përgatitje përpara fillimit të sesionit:
  • Lexim dhe përvetësim i aktivitetit në materiale dhe program;
  • Përgatitje e materialeve të nevojshme për aktivitetet që do zhvillohen në klasë;
  • Përgatitje e mjedisit didaktik dhe fizik, si dhe e atmosferës së këndshme dhe bashkëpunuese në klasë.
Ndërlidhja me lëndët e tjera dhe çështjet ndërkurrikulare: Shkathtësi për Jetë, Edukatë Figurative, Edukatë Fizike, Sport dhe Shëndet, Arsimi për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Situata nga Jeta e Përditshme. Materialet e nevojshme: Libri bazë, fleta pune A4, fleta të punuara me ngjyra me figura gjeometrike, fleta pune me teknikën “Bingo”, gërshërë, ngjitës, vizore, kompas. Përshkrimi i aktiviteteve hap pas hapi: Aktiviteti 1: Figura që lëvizin Kohëzgjatja: 15 minuta Ora fillon duke u treguar nxënësve se për zhvillimin e njësisë mësimore sot duhet të marrin energji përmes lëvizjes. Mësuesja u shpjegon nxënësve se do të shndërrohen në figura gjeometrike.  Nxënësit ndahen në çifte dhe secilit çift i caktohet një figurë gjeometrike: katror, trekëndësh, drejtkëndësh, pesëkëndësh dhe rreth. Çiftet qëndrojnë përballë njëri-tjetrit.  Mësuesja jep sqarime të qarta për veprimet që duhet të kryejë secila figurë gjeometrike. Ajo i demonstron paraprakisht veprimet për t’u siguruar që nxënësit i kuptojnë mirë udhëzimet: Katrorët: bëjnë një hap përpara  Trekëndëshat: ulen  Drejtkëndëshat: bëjnë një rrotullim  Pesëkëndëshat: kërcejnë lart  Rrathët: bëjnë një hap prapa. Pas demonstrimit, aktiviteti fillon duke kombinuar nga dy figura njëkohësisht (p.sh. katrori dhe rrethi, pesëkëndëshi dhe trekëndëshi, etj.).  Pas përfundimit të aktivitetit, mësuesja parashtron pyetje diskutimi: 
  • Çfarë forme ka dera e klasës? 
  • Çfarë forme ka tabela? 
  • Ora e murit çfarë forme ka? 
  • Duke u bazuar në veprimet që bëmë, cilën njësi mësimore do ta mësojmë sot?
Nxënësit hapin librin në faqen 138 dhe mësuesja sqaron njësinë mësimore.  Në fund, bëhen pyetje reflektuese: 
  • Si u ndjetë gjatë kohës që ishit duke punuar? 
  • Çfarë mendonit gjatë kësaj kohe?
Aktiviteti 2: Roboti me emra, por i paemërtuar Kohëzgjatja: 20 minuta Tani, nxënësit ndahen në çifte.  Secilit çift i shpërndahen fletë të bardha A4 dhe fletë të përgatitura me figura gjeometrike. Mësuesja u thotë nxënësve që ata duhet t’i presin figurat gjeometrike dhe me to ndërtojnë një robot, duke i ngjitur figurat në fletën A4. U tregon nxënësve që puna realizohet pa komunikim verbal mes nxënësve të çiftit.  Pasi që nxënësit të kenë përfunduar mësimdhënësja vazhdon me reflektimi për aktivitetin, me anë të pyetjeve: 
  • A ishte i vështirë koordinimi me shokun/shoqen për të ndërtuar robotin? 
  • Cila ishte pjesa më e vështirë e ndërtimit? 
  • Si arritët të gjeni vendin e figurave pa folur? 
  • Nëse do ta ndërtonit përsëri robotin, a do të ndryshonit diçka?
Aktiviteti 3: Bingo me figura gjeometrike Kohëzgjatja: 15 minuta                                                                        Mësimdhënësja u shpërndan nxënësve fletë pune“Bingo”.  Secili nxënës vizaton figura gjeometrike duke u bazuar në fjalitë udhëzuese të dhëna. Nxënësi që e përfundon i pari detyrën thotë “Bingo” dhe del për ta prezantuar punën e tij para klasës.  Pasi që nxënësit të kenë punuar në fletën e punës Bingo dhe njëri nga ta të ketë thënë Bingo dhe të ketë prezantuar atë para të tjerëve. Mësimshënësja zhvillohon diskutim përmbyllës me anë të pyetjeve reflektuese: 
  • Çfarë mësuam sot për figurat gjeometrike? 
  • Çfarë këshille do t’i jepje dikujt që po i mëson figurat gjeometrike? 
  • Si do t’ia mësoje dikujt tjetër figurat gjeometrike?