Më poshtë gjeni 3 aktivitete që ju shërben në realizimin e orës: Veprimet aritmetike. Përgatitje përpara fillimit të sesionit:
  • Lexim dhe përvetësim i aktivitetit në materiale dhe program;
  • Përgatitje e materialeve të nevojshme për aktivitetet që do zhvillohen në klasë;
  • Përgatitje e mjedisit didaktik dhe fizik, si dhe e atmosferës së këndshme dhe bashkëpunuese në klasë.
Ndërlidhja me lëndët e tjera dhe çështjet ndërkurrikulare: Gjuhë shqipe, Edukatë fizike; Shkathtësi për jetë; Njeriu dhe natyra. Materialet e nevojshme: Fleta pune, gota letre, fleta A4, etiketa. Përshkrimi i aktiviteteve hap pas hapi: Aktiviteti 1: Gjej rrugën e bletës Kohëzgjatja: 15 minuta Mësuesja e nis orën me një lojë të veçantë për ngrohjen e mendjes. Ajo u tregon nxënësve një fletë me figurën e një blete, e cila duhet të gjejë rrugën drejt kosheres. Për ta ndihmuar bletën të arrijë në destinacion, nxënësit duhet të kryejnë saktë veprimet e shumëzimit që ndodhen në çdo kuti të rrugës. Nxënësit punojnë në grupe, diskutojnë me njëri-tjetrin, krahasojnë përgjigjet dhe ndjekin rrugën që formohet nga rezultatet e sakta, duke e ngjyrosur atë. Aktiviteti 2: Vendos gotën dhe BINGO Kohëzgjatja: 20 minuta Për këtë aktivitetë, paraprakisht mësuesja ka përgatitur disa gota letre, në secilën prej të cilave është shkruar një numër. Në një fletë tjetër janë të shkruara ushtrime të ndryshme shumëzimi.  Nga çdo grup kërkon që të merr disa gota dhe një fletë me ushtrime. Nxënësit kanë për detyrë që të zgjidhin detyrat në fleta dhe të vendosin gotën me numrin e duhur mbi shumëzimin që jep atë rezultat. Për shembull, nëse fleta ka “9 × 8”, nxënësit duhet të vendosin gotën me numrin “72”.  Grupi që bënë më së shumti zgjidhje të sakta shpallet grupi fitues. Pas shumëzimit, mësuesi kalon në një lojë që përfshin katër veprimet aritmetike. Çdo nxënës merr një fletë “Bingo” me numra të ndryshëm në katrorë. Mësuesja lexon zëshëm disa ushtrime që përfshijnë mbledhje, zbritje, shumëzim dhe pjesëtim.   Nxënësit duhet të gjejnë rezultatin e saktë në tabelën e tyre dhe ta rrumbullakosojnë atë ose ta mbulojnë me një ngjitëse. Kur nxënësit përfundojnë detyrat ata duhet të thërrasin me entuziazëm “BINGO!”.  Mësuesja  kontrollon nëse të gjitha përgjigjet janë të sakta. Aktiviteti 3: Puzzle me veprime Kohëzgjatja: 10 minuta                                                                        Në këtë aktivitet mësuesuesja  u shpërndan nxënësve kartona të prerë që përmbajnë në njërën anë një veprim dhe në anën tjetër një rezultat. Detyra e nxënësve është që t’i bashkojnë kartonët që përputhen saktë, sikur të krijonin një puzzle.                                                                                                                                      Nxënësit punojnë në grupe të vogla, krahasojnë, llogarisin dhe bashkëpunojnë për të gjetur çiftet e duhura.  Në përfundim, mësuesja mbledh vëmendjen e klasës dhe zhvillon një diskutim reflektues: 
  • Cili aktivitet ju sfidoi më shumë dhe pse? 
  • A kishte raste ku nuk ishit të sigurt për rendin e veprimeve?
  • Si ju ndihmoi puna në grup që ti zgjidhnit më lehtë detyrat?