Më poshtë gjeni 4 aktivitete që ju shërben në realizimin e orës/aktivitetit: Njohja me format gjeometrike. Përgatitje përpara fillimit të sesionit:
  • Lexim dhe përvetësim i aktivitetit në materiale dhe program;
  • Përgatitje e materialeve të nevojshme për aktivitetet që do zhvillohen në klasë;
  • Përgatitje e mjedisit didaktik dhe fizik, si dhe e atmosferës së këndshme dhe bashkëpunuese në klasë.
Ndërlidhja me lëndët e tjera dhe çështjet ndërkurrikulare: Gjuhë shqipe, Njeriu dhe natyra, Edukatë figurative, Shkathtësi për jetë Materialet e nevojshme: Figura të prera prej kartonit dhe letrës, ngjitës, fletë pune, shkopinjë, plastelinë. Përshkrimi i aktiviteteve hap pas hapi: Aktiviteti 1: Stuhi mendimesh Kohëzgjatja: 20 minuta Në fillim të orës mësimore, edukatorja u tregon fëmijëve se sot do të zhvillojmë njësinë mësimore: Njohja e formave gjeometrike. Ajo u shpjegon se format gjeometrike janë pjesë e përditshmërisë sonë dhe i përdorim gjithandej. Pastaj, edukatorja demonstron format gjeometrike në tabelë duke treguar secilën figur me anë të letrës A4 dhe në tabel vizaton rrethin, katrorin, trekëndëshin dhe drejtkëndëshin, duke i emërtuar dhe përshkruar ato. Pas shpjegimit, thërret me radhë secilin nxënës të dalë në tabelë dhe t’i vizatojë ato. Pastaj mësuesja pyet nxënësit:
  • Çfarë mendoni, çfarë formash kanë gjërat që na rrethojnë? 
  • Çfarë forme ka ora në mur? Po banka ku rrini ulur? 
  • Po tabela ku shkruajmë? 
Nxënësit japin mendimet e tyre dhe diskutojmë së bashku.   Aktiviteti 2: Bingo Kohëzgjatja: 15 minuta Në këtë pjesë të orës mësimore, edukatorja i ndan nxënësit në grupe përmes një loje të shkurtër. Në dysheme vendosen tre rrathë me ngjyrë dhe mësuesja u thotë: “Kur të them 1, 2, 3 – Fillo!” - secili nga ju duhet të vrapojë dhe të futet në një rreth. Kështu varësisht se në cilin rreth janë vendosur do të krijohen grupet për aktivitetin.  Pasi nxënësit ndahen në grupe, edukatorja shpërndan materialet: plastelinë dhe shkopinj të hollë për secilin grup. Detyra e grupeve është që, duke përdorur plastelinën dhe shkopinjtë, të krijojnë format gjeometrike që mësuan: Trekëndësh, Katror, Drejtkëndësh, Rreth. Çdo grup punon bashkë për të ndërtuar format. Grupi që i krijon format gjeometrike i pari thotë BINGO dhe shtyp zilen. Aktiviteti 3: Gjej dhe ngjit formën e duhur  Kohëzgjatja: 20 minuta Nxënësve u shpërndahet një fletë pune me figura të ndryshme (rreth, katror, trekëndësh, drejtkëndësh). U jepen edhe figura me ngjyra të prera dhe ngjitës. Detyra e nxënësve është të ngjisin secilën formë në figurën përkatëse në fletë. Aktiviteti 4: Ushqeje elefantin me formën e saktë Kohëzgjatja: 15 minuta Fëmijëve u tregohet fytyra e elefantit me një vrimë në hundë. Secilit i jepet një formë gjeometrike prej kartoni (rreth, katror, trekëndësh, drejtkëndësh). Ata duhet ta hedhin formën në hundën e elefantit dhe ta emërtojnë saktë (p.sh. “Ky është rrethi”).  Loja zhvillohet me radhë dhe synon njohjen, shqiptimin dhe dallimin e formave përmes lojës.  Pasi secili fëmijë ta ketë ushqyer elefantin, e përmbyll ditën duke i pyetur fëmijët: 
  • Cila figurë të ka pëlqyer më shumë sot? Pse? 
  • A mund të përmendësh një send tjetër që ka formën e rrethit/katrorit/trekëndëshit? 
  • A do të mund t’ia shpjegosh familjes në shtëpi se çfarë mësove sot?