Më poshtë gjeni 4 aktivitete që ju shërben në realizimin e orës: Ligji i Njutonit për Inerci. Përgatitje përpara fillimit të sesionit:
  • Lexim dhe përvetësim i aktivitetit në materiale dhe program;
  • Përgatitje e materialeve të nevojshme për aktivitetet që do zhvillohen në klasë;
  • Përgatitje e mjedisit didaktik dhe fizik, si dhe e atmosferës së këndshme dhe bashkëpunuese në klasë.
Ndërlidhja me lëndët e tjera dhe çështjet ndërkurrikulare: Matematikë, Kimi, Biologji, Ed.Fizike. Tik etj. Materialet e nevojshme: Libri Fizika VIII, ditari i vlerësimit, llaptopi , tabela ,shkumësi, dinamometri, sfera rrotulluese me ngjyra,litari, topi. Përshkrimi i aktiviteteve hap pas hapi: Aktiviteti 1: Stuhi mendimesh Kohëzgjatja: 5 minuta Së pari filloj orën me disa pyetje, me qëllim që t’i nxis nxënësit të reflektojnë mbi përmbajtjen paraprake dhe t’i përgatis për të nxënit e ri (Cila ishte njësia e fundit? Si ndahen lëvizjet sipas rrugës, shpejtësisë dhe nxitimit?), duke kërkuar shembuj nga jeta e përditshme, si dhe duke vazhduar me pyetje që nxisin të nxënit e ri, si p.sh.: Çka studion Dinamika dhe çka Mekanika? Cili është dallimi në mes tyre? etj. Aktiviteti 2: Ligji i Njutonit për inerci Kohëzgjatja: 20 minuta Realizimin e njësisë mësimore e fillojmë me anë të slajdeve, duke e shpjeguar fillimisht objektin e studimit të Mekanikës, pastaj çka është inercia, çka thotë ligji i Njutonit për inercinë dhe cili është qëllimi i këtij ligji. Linku i slajdeve (hape linkun këtu).  Kuptimi i ligjit të inercisë lehtësohet edhe me video interaktive (me shembuj nga jeta e përditshme).  Shpjegimi i njësisë vazhdon me pyetje interaktive për nxënësit, duke kërkuar vazhdimisht njohuri rreth njësisë dhe shembuj, si p.sh.: Çka është forca? (demonstrim), cili është qëllimi i inercisë, tregoni sa më shumë shembuj praktikë nga inercia, etj.  Demonstrimi 1: Rrotullimi i sferës me ngjyra, së pari nga mësimdhënësja dhe më pas nga disa nxënës, për kuptimin e inercisë (Çfarë po shihni në këtë sferë rrotulluese? Çka ndodh pas lëvizjes së saj? Prej kujt ndikohet ky ndryshim? Çka ndodh pas ndërprerjes së lëvizjes? etj.).  Demonstrimi 2: Tërheqja me dinamometër – ndërrimi i pozitës së trupave dhe ruajtja e gjendjes së tyre. Paraqitja e shembujve praktikë (rast konkret: bartja/tërheqja e ndonjë çante me dinamometër si zhvendosje). Aktiviteti 3: Loja me litar Kohëzgjatja: 10 minuta Për këtë aktivitet formojmë dy grupe (në dy anët e kundërta të litarit). Çdo grup kapet fort për litar dhe qëndron në një vijë fillestare, duke tërhequr të dy anët në kahje të kundërta, me qëllim të ruajtjes së gjendjes së mëparshme, konkretisht inercisë së trupave. Pyes nxënësit se sipas tyre cili është qëllimi i këtij aktiviteti me litar? Çka po kuptoni me këto pozita gjatë tërheqjes?. Aktiviteti 4: Topi i inercisë Kohëzgjatja: 10 minuta Qëllimi i këtij aktiviteti është të paraqiten sa më shumë shembuj ose demonstrime rreth njësisë, duke reflektuar nxënësit njohuritë edhe te njëri-tjetri. Nxënësit vendosen në rreth. Një top i vogël jepet me shpejtësi mesatare nga një nxënës te tjetri. Kur mësimdhënësja thotë “stop”, nxënësi që e ka topin në dorë do të japë një shembull nga jeta reale lidhur me ligjin e Njutonit për inercinë.