Më poshtë gjeni 3 aktivitete që ju shërben në realizimin e orës: Nocioni i produktivitetit të punës. Përgatitje përpara fillimit të sesionit:
  • Lexim dhe përvetësim i aktivitetit në materiale dhe program;
  • Përgatitje e materialeve të nevojshme për aktivitetet që do zhvillohen në klasë;
  • Përgatitje e mjedisit didaktik dhe fizik, si dhe e atmosferës së këndshme dhe bashkëpunuese në klasë.
Ndërlidhja me lëndët e tjera dhe çështjet ndërkurrikulare: Gjuhë dhe komunikim, Jeta dhe puna, matematikë, Materialet e nevojshme: Flipchart, markerë me ngjyra, letra A4 të bardha dhe me ngjyra. Përshkrimi i aktiviteteve hap pas hapi: Aktiviteti 1: Çka kuptoj me produktivitet Kohëzgjatja: 10 minuta Mësimdhënësi shkruan në tabelë fjalën “Produktivitet” dhe pyet nxënësit:
  • Çfarë ju vjen ndër mend kur e dëgjoni këtë fjalë?
  • Si mund ta masim nëse dikush punon më “produktiv” se tjetri?
Pasi të marrë disa përgjigje, mësimdhënësi shpjegon: “Produktiviteti i punës është sasia e produkteve ose shërbimeve që një punëtor apo grup punëtorësh i realizon brenda një periudhe të caktuar kohore. Shpjegon se produktiviteti mund të matet në njësi fizike si kg, copë, tonë, etj. Më pas shkruan në tabelë dy mënyrat statistikore për ta llogaritur produktivitetin e punës:
  1. Pp = Sasia e prodhuar / Numri i punëtorëve                     2.  Pp = Sasia e prodhuar / Koha e shpenzuar
Aktiviteti 2: Produktiviteti Kohëzgjatja: 15 minuta Nxënësit ndahen në 3 grupe. Çdo grup merr një shembull të thjeshtë me të dhëna (p.sh. 5 punëtorë që prodhojnë 250 copë në një javë) dhe kërkohet nga ta që të përdorin të dy formulat për të llogaritur produktivitetin e punës dhe i shkruajnë rezultatet në tabelë. Në momentin që grupi e llogarit produktivitetin thërret PRODUKTIVITET dhe vazhdon ta paraqes zgjidhjen në tabelë. Grupi i cili ka thirrur i pari produktivitet dhe ka pasur zgjidhjen e saktë shpallet grupi më produktiv i orës. Shembujt për grupe: Grupi 1
  • Numri i punëtorëve: 5
  • Sasia e prodhuar në një javë: 250 copë
  • Koha totale e punës në javë: 40 orë për punëtor
Grupi 2
  • Numri i punëtorëve: 8
  • Sasia e prodhuar në një javë: 480 copë
  • Koha totale e punës në javë: 35 orë për punëtor
Grupi 3
  • Numri i punëtorëve: 4
  • Sasia e prodhuar në një javë: 200 copë
  • Koha totale e punës në javë: 30 orë për punëtor
Pasi grupet të kenë paraqitur zgjidhjet e tyre në tabelë mësimdhënësi hap diskutimin në klasë me pyetje udhëzuese:
  • Çfarë na tregojnë këto shifra?
  • Në cilin rast produktiviteti është më i lartë?
  • Pse ndryshojnë rezultatet mes grupeve?
Pastaj u kërkon nxënësve të mendojnë për shembuj nga jeta e përditshme ku kanë vënë re ndryshime në produktivitet. Secili nxënës shkruan në një letër të bardhë një situatë konkrete, p.sh: Kur punoj vetëm kundrejt në grup; Kur kam mjete pune të mjaftueshme; Kur kam më shumë përvojë ose trajnim. Disa nxënës lexojnë shembujt e tyre dhe bëhet një përmbledhje e përbashkët në tabelë me faktorët që ndikojnë në produktivitet: koha, mjetet, motivimi, bashkëpunimi, organizimi. Aktiviteti 3: Menaxherët që duan të rrisinin produktivitetin në punë Kohëzgjatja: 20 minuta Mësimdhënësi ndan nxënësit sërish në 4 grupe dhe u jep udhëzimin: “Imagjinoni që jeni menaxherë të një kompanie prodhimi. Duhet të vendosni si ta rrisni produktivitetin e punës.” Secilit grup i përcakton një strategji konkrete për rritje produktiviteti, si p.sh.:
  1. Investim në teknologji moderne
  2. Trajnime për punëtorët
  3. Ndarje më e mirë e punës
  4. Përmirësim i kushteve të punës
Kërkon nga grupet që të përgatisinin një prezantim të shkurtër (role-play) ku një anëtar luan rolin e menaxherit dhe të tjerët të stafit dhe të paraqesin situatën se si do të përmirësonin produktivetin në punë. Pasi të bëhet luajtja e skenarit nga secili grup, grupet e tjera mund të bëjnë pyetje apo të japin sugjerime. Pas prezantimeve, mësimdhënësi përmbyll orën me reflektim:
  • Cila ide ishte më praktike për rritjen e produktivitetit?
  • Çfarë faktorësh duhet të kemi gjithmonë parasysh kur duam të punojmë më efektivisht?
  • Si u ndjetë në orën mësimore?
  • A do ta aplikoni njësinë e mësuar sot në jetën e përditshme? Pse dhe si?