Më poshtë gjeni 4 aktivitete që ju shërben në realizimin e orës/aktivitetit: Pastroj dhëmbët. Përgatitje përpara fillimit të sesionit:
  • Lexim dhe përvetësim i aktivitetit në materiale dhe program;
  • Përgatitje e materialeve të nevojshme për aktivitetet që do zhvillohen në klasë;
  • Përgatitje e mjedisit didaktik dhe fizik, si dhe e atmosferës së këndshme dhe bashkëpunuese në klasë.
Ndërlidhja me lëndët e tjera dhe çështjet ndërkurrikulare: Gjuhë dhe komunikim, Matematikë, Shkencat e natyrës, Mësimi me zgjedhje Materialet e nevojshme: Fletë punuse me ushqime të shendetshme dhe pashëndetshme, ngjyra temper,  pambuk, shtaga, stiropoll, gota plastike dhe topa tenisi, https://www.youtube.com/watch?v=nkoymNRBZuk  Përshkrimi i aktiviteteve hap pas hapi: Aktiviteti 1: Si të pastrojmë dhëmbët Kohëzgjatja: 15 minuta Ditën e fillojmë duke formuar rrethin dhe duke realizuar rutinën ditore. Pastaj i njoftojmë fëmijët se sot do të flasim për rëndësinë e pastërtisë së dhëmbëve: sa herë duhet t’i pastrojmë dhëmbët gjatë ditës, sa dhëmbë ka njeriu (të rriturit 32, fëmijët 20), sa shpesh duhet ndërruar furça e dhëmbëve, a është e veçantë pasta për fëmijë apo jo, kush kujdeset për dhëmbët tanë kur prishen (dentisti), kur duhet ta vizitojmë dentistin, si dhe çfarë ushqimesh duhet të konsumojmë që të kemi dhëmbë të shëndetshëm dhe të fortë.  Pasi ta përfundojmë diskutimin, fëmijëve u lëshojmë videon “Pastrojmë dhëmbët”: https://www.youtube.com/watch?v=nkoymNRBZuk  në të cilën, përveç argëtimit, tregohet edhe mënyra e drejtë se si duhet t’i pastrojmë dhëmbët. Më pas paraqesim para fëmijëve një “gojë me dhëmbë”, ku fëmijët praktikojnë mënyrën e pastrimit të dhëmbëve ashtu siç e kanë parë në video. Aktiviteti 2: Brusha dhe dhëmbët e mi Kohëzgjatja: 30 minuta Ky aktivitet ka për qëllim që fëmijët të shohin konkretisht se dukën dhëmbet, si njollosen dhe prishen dhëmbët nëse nuk kujdesemi për ta dhe nuk i pastrojmë rregullisht. Edukatorja, me anë të materialit stiropor, krijon paraprakisht forma të brushës së dhëmbëve dhe ua dorëzon fëmijëve. Fëmijët vendosin se me cilat ngjyra do t’i ngjyrosin brushat, duke përdorur ngjyra temper. Më pas, në vend të fijeve reale të brushës, ata i modelojnë brushat me rremojsa. Për modelimin e brushës përdorin gjithashtu shkopinj akulloreje dhe pambuk, me qëllim që të krijojnë brushën ideale të dhëmbëve.  Në vazhdim, edukatorja ka përgatitur disa “dhëmbë”, të cilët fëmijët i vendosin në një “gojë” dhe formojnë gojën me dhëmbë. Më pas, kërkon nga fëmijët që të krijojnë vetë dhëmbë të rinj duke përdorur stiropor. Edukatorja vendos kafe mbi dhëmbët e krijuar nga fëmijët, duke i njollosur ata. U thotë fëmijëve që, me brushat e krijuara paraprakisht, t’i pastrojnë dhëmbët e njollosur, duke u treguar mënyrën e duhur se si ta bëjnë këtë. Aktiviteti 3: Dhëmbi i shëndoshë dhe dhëmbi i sëmurë Kohëzgjatja: 15 minuta                                                                        Në tabelë, edukatorja vendos një hamer ku në njërën anë vendoset dhëmbi i shëndoshë, ndërsa në anën tjetër dhëmbi i sëmurë. Në disa fletë pune janë paraqitur ushqime të shëndetshme dhe të pashëndetshme për dhëmbët. Fëmijët i ngjyrosin këto ushqime, ndërsa më pas edukatorja u jep disa të tjera që t’i presin me gërshërë dhe t’i vendosin te dhëmbët në hamer. Përveç këtyre, edukatorja sjell edhe ushqime të plastifikuara, të cilat fëmijët i vendosin gjithashtu. Pasi që fëmijët i kanë vndosur ushqimet atu ku mendojnë edukatorja i rregullon dhe  i vendos në vendin e duhur.  Aktiviteti 4: Dhëmbi i shëndoshë dhe dhëmbi i sëmurë Kohëzgjatja: 20 minuta Edukatorja paraqet 10 gota të plastikës, të cilat i ka përgatitur paraprakisht ku janë të shënuar numrat nga 1 deri në 10 dhe fotografi të ushqimeve të dobishme dhe të padobishme për shëndetin e dhëmbëve. Gotat janë gjysmë të mbushura me ujë. Fëmijët kanë në dispozicion 6 topa ping-pongu dhe detyra e tyre është t’i fusin në gota, por fillimisht duhet ta prekin tavolinën. Nëse topi futet në gotën me numrin 5, fëmija tregon se cili ushqim ndodhet në atë gotë dhe si ndikon ai në dhëmbë, pastaj e shënon numrin 5 në tabelë. Në fund të lojës, fëmijët shpërblehen me dhurata, ku fëmija i parë që e përfundon lojën me sukses fiton një brushë për pastrimin e dhëmbëve. Në përmbyllje të aktivitetit, edukatorja parashtron disa pyetje për fëmijët në lidhje me aktivitetin e realizuar sot: 
  • Çka ju ka pëlqyer më shumë gjatë aktivitetit? 
  • Si jeni ndjerë gjatë zhvillimit të aktivitetit? 
  • Sa herë duhet t’i pastrojmë dhëmbët gjatë ditës? 
  • Cilat janë ushqimet e dobishme dhe të padobishme për dhëmbë të pastër dhe të fortë? 
  • Me çka duhet t’i pastrojmë dhëmbët? 
  • Kur duhet ta vizitojmë dentistin?