Qëllimi: Ngritja e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet anëtarëve të grupit. Materiale të nevojshme: 4-6 pjata plastike ose letre, karamele, shirit ose litarë  për të shënuar hapësirën në dysheme. Udhëzime hap pas hapi
  1. Filloni aktivitetin duke ndarë grupin e madh të nxënësve në disa grupe më të vogla (afërsisht 4 nxënës për çdo grup).
  2. Përdorni shirit apo litar për të shënuar kufijtë e disa ‘’shteteve’’ të ndryshme në dysheme.
  3. Secili grup do të ketë nga një shtet si ‘’vendlindjen’’ e tyre dhe një tjetër si ‘’cakun’’ e tyre, të shënuar me X. Mbi secilën vendlindje vendosni nga një pjatë plastike me disa karamele (apo objekte të tjera) në të.
  4. U thoni grupeve se kufijtë në dysheme paraqesin dy shtete të ndryshme: njëri është vendlindja e tyre, ndërsa tjetri është një shtet i sapo goditur nga një fatkeqësi natyrore (mund të zgjidhni një shembull nga ngjarjet aktuale apo të bëni një ilustrim tjetër). Për arsye të fatkeqësisë, mijëra njerëz kanë mbetur pa ushqim dhe grupi juaj ka resurset e nevojshme për t’ua dërguar përmes një pjatë fluturuese.
  5. Ekipet duhet të ngrenë pjatën me majat e gishtave të dorës dhe me shumë kujdes ta bartin deri te vendi që ka nevojë pa e rrëzuar materialin që është në të.
  6. Rregulla është që secili anëtar i grupit duhet të ketë majat e gishtave të dorës të vendosura nën pjatë gjatë të gjithë kohës (jo më shumë se 1 centimetër thellë). Gishtat duhet të jenë në kontakt me pjatën gjatë gjithë kohës së udhëtimit.
  7. Pra, qëllimi është që grupet duhet të bartin pjatën nga dyshemeja deri në vendin e shënuar me X pa e rrëzuar materialin që ndodhet në të. (Lokacionet e nisjes dhe arritjes duhet të jenë të ndryshme për grupet e ndryshme për të mos i kryqëzuar rrugët e secilit grup).
  8. Grupet duhet të fillojnë në të njëjtën kohë dhe kanë 10 minuta kohë për të kryer detyrën. Nëse bie diçka nga pjata apo ndonjë anëtar i grupit e humb kontaktin me pjatën për vetëm një sekondë, i tërë ekipi duhet të fillojë nga e para.
 Pyetje dhe reflektim
  1. Cilat ishin detyrat e dhëna në këtë aktivitet? Cilat ishin vështirësitë që keni hasur?
  2. Çfarë iu motivoi për të kryer këtë aktivitet?
  3. A mendoni se do ta kishit kryer këtë detyrë vetëm? Përse po ose përse jo?
  4. Përse mendoni se është e rëndësishme për secilin që të dijë se kontributi i tij/saj ka rëndësi?