Më poshtë gjeni 3 aktivitete që ju shërbejnë në realizimin e aktivitetit: Stinët e vitit Përgatitje përpara fillimit të sesionit:
  • Lexim dhe përvetësim i aktivitetit në materiale dhe program;
  • Përgatitje e materialeve të nevojshme për aktivitetet që do zhvillohen në klasë;
  • Përgatitje e mjedisit didaktik dhe fizik, si dhe e atmosferës së këndshme dhe bashkëpunuese në klasë.
Ndërlidhja me lëndët e tjera dhe çështjet ndërkurrikulare: Matematikë, Gjuhët dhe komunikim Materialet e nevojshme: Gotë plastike, ujë, ngjyrë e kaltërt, pipa, gjethe, mbetje të letrave, ngjitës, gërshërë. Përshkrimi i aktiviteteve hap pas hapi: Aktiviteti 1: Stinët e vitit Kohëzgjatja: 15 minuta Ditën e fillojmë duke u ulur në rreth së bashku me të gjithë fëmijët. Ju lëshojmë këngën 4 stinët e vitit: https://www.youtube.com/watch?v=Y6Idc5tJz64 dhe pasi që e dëgjojmë u tregojmë se sot do të flasim për stinët e vitit dhe ndryshimin e motit në stinët e ndryshme. Fillimisht i pyesim se a e dinë se sa stinë i ka viti apo a arritën ta kuptojnë nga kënga se sa stinë i ka viti dhe cilat janë ato. Pasi marrë disa përgjigjie nga fëmijët i pyes se cila është stina e tyre e preferuar dhe pse. Tani vazhdoj dhe ua jap sqarimet për secilën stinë dhe në momentin që jam duke folur ua paraqes edhe nga një fotografi të printuar të secilës stinë. Pranvera Pranvera është koha kur natyra zgjohet! Lulet fillojnë të çelin, zogjtë cicërojnë  dhe pemët bëhen me gjethe të reja. Fillon të bëhet më nxehtë dhe shpesh bie edhe shi. Vera Vera është stina më e nxehtë! Fëmijët luajnë jashtë, shkojnë në det apo pishinë dhe veshin rroba të holla dhe më të shkurta. Dielli shkëlqen pothuajse çdo ditë në verë. Vjeshta Në vjeshtë, gjethet e pemëve e ndryshojnë ngjyrën/thahen dhe bien në tokë. Bëhet pak më freskët/ftoftë dhe njerëzit fillojnë të veshin xhaketa dhe rroba pak më të trasha. Dimri Dimri është stina më e ftohtë! Gjatë dimrit bie borë dhe formohet akull në rrugica dhe fëmijët veshin pallto, kapele dhe dorëza për tu mbrojtuar nga i ftofti. Gjatë dimrit zakonisht qëndrojmë më shumë brenda dhe konsumojmë pije të nxehta. Aktiviteti 2: Aventura me valixhe të stinëve të vitit Kohëzgjatja: 40 minuta Ju tregojmë fëmijëve se tani para tyre do të paraqesim 4 valixhet/kuti që i paraqesin 4 stinët e vitit: Pranverën, Verën, Vjeshtën, Dimrin. Në secilën kuti do të jenë të vendosura disa gjësende që i përdorim gjatë një stine. Fëmijët do të duhet ta hamendësojnë se për cilën stinë po bëhet fjalë. Ashtu siç jemi në rreth fillimisht do të hapim valixhen e parë para tyre. Në këtë valixhe ndodhen: disa lule të ndryshme, ombrella, disa zogj plastike, një jakne e shiut (objekte karakteristike për stinën e pranverës).  Tani i pyesim se në cilën stinë i përdorim këto gjësende dhe për çka i përdorim sakësisht gjësendet në listë. Vazhdojmë pastaj me valixhen e dytë në të cilën ndodhen: syzet e diellit, krem ​​për mbrojtje nga dielli, kapele për kokë, top plazhi (objekte karakteristike për stinën e verës). Prapë i pyesim se në cilën stinë i përdorim këto gjësende dhe për çka i përdorim sakësisht gjësendet në listë. Vazhdojmë me valixhen e tretë në të cilën ndodhen: shalli, gjethe, mollë, kunguj  (objekte karakteristike për stinën e vjeshtës). Prapë i pyesim se në cilën stinë i përdorim këto gjësende dhe për çka i përdorim sakësisht gjësendet në listë. Vazhdojmë me valixhen e katërt në të cilën ndodhen: dorëza të leshta për duar, shallë i trashë, akull, kapele e trashë  (objekte karakteristike për stinën e dimrit). Prapë i pyesim se në cilën stinë i përdorim këto gjësende dhe për çka i përdorim sakësisht gjësendet në listë. Në secilin rast i falenderojmë fëmijët për përgjigjiet dhe ju tregojmë përgjigjien e saktë duke ju treguar edhe për ndryshimin e motit që bëhet përgjatë stinëve. Aktiviteti 3: Dekorimi i Pemëve të stinëve të vitit Kohëzgjatja: 30 minuta Tani i ndajmë fëmijët në 4 grupe në bazë të stinës së tyre të preferuar. Secili grup do ta ketë një flipchart të bardhë dhe në të të vizatur një pemë me degë të zhveshura. Në mes të klasës do të vendosim materiale të ndryshme të cilat i shohim dhe i identifikojnë 4 stinët e vitit. Bazuar në stinën që e përfaqësojnë fëmijët ata do të duhet fillimisht të i identifikojnë gjërat që e simbolizojnë stinën e tyre, pastaj t`i marrin e t`i vendosin me ngjitës këto materiale në pemën e tyre. Materialet për secilën stinë do të jenë këto dhe janë të printuar në letër dhe të prera në bazë të formës së tyre: Pranvera: lule, gjethe me ngjyrë të gjelbërt të çeltë, zogj, pemë me lule. Vera: dielli i printuar, gjethe me ngjyrë të gjelbërt të mbylltë, fruta të ndryshme që simbolizojnë verën si shalqiri, rrushi, qershitë. Vjeshtë: shiu, gjethe të vyshkura me ngjyrë të kaftë të mbyllët ose të verdhë,  fruta të ndryshme që simbolizojnë verën si molla, kunguj, gështenja, arra. Dimër: fjolla bore të printuara në letër, pambuk që simbolizon borën, degë të zhveshura, dorëza të leshta. E përmbyll ditën duke i pyetur fëmijët: - A mund t`i emërtoni 4 stinët e vitit? - Cila është stina më e nxehtë dhe stina më e ftoftë? - Imagjinoni sikur jeni një pemë, çfarë ndodh me juve gjatë secilës stinë? - Në cilën stinë do t’i thoni shokëve tuaj të marrin qadrën me vete? - Në cilën stinë do t’i thoni shokëve tuaj të marrin syzet e diellit me vete? - Në cilën stinë do t’i thoni shokëve tuaj të marrin shallë me vete? - Në cilën stinë do t’i thoni shokëve tuaj që mund të dëgjojnë më shumë cicërima të zogjëve?